Strategjia e Tiranës për të evituar presionin nuk funksionon, i bën nder Vllaznisë

Tirana nuk arriti të merrte më shumë se një pikë në takimin e zhvilluar pasditen e sotme në “Selman Stërmasi”. Bardheblutë e kërkuan golin por u ndalën nga shtylla një herë dhe Malota që largoi një top në vijë fatale, por edhe nga ana tjetër, ishte traversa shpëtimtare për skuadrën bardheblu.

Në këtë takim, mungoi goli por jo vetëm! Mungesa më e madhe ishte padyshim ajo e tifozerisë në shkallët e stadiumit që në ndeshje të tilla siç ishte klasikja e Shqipërisë, janë të shumtë dhe kthehet në një element shtytës për skuadrën vendase. Bardheblutë u dënuan nga Komisioni i Disiplinës për ndeshjen ndaj Partizanit dhe ishin pa tifozë këtë takim.

Megjithatë, dëshira për të pasur tifozët në stadium mund të shlyente dënimin. Tirana kishte të drejtë të paguante një gjobë për të pasur sot lojtarin e 12 në shkallët e stadiumit. Ata u dënuan me 4 ndeshje pezullim por vendimi do të shlyhej në 50% që do të thotë vetëm 2 ndeshje. 1 ndeshje u shlye pak ditë më parë ndaj Laçit teksa, nëse paguhej gjoba sot do të ishin tifozët.

Duke parë rëndësinë e ndeshjes, mesa duket klubi ka menduar që të mos paguajë gjobën dhe të luajë me stadiumin e boshatisur por në një farë mënyre duke i bërë nder skuadrës shkodrane. Vllaznia ka treguar këtë sezon se e ka të vështirë të përballë presionin e tifozerisë dhe në momentet që “Loro Boriçi” ka pasur numrin më të madh të tifozëve këtë sezon, skuadra shkodrane është mundur si ndaj Partizanit, ashtu edhe ndaj Tiranës. Mesa duket, këta të fundit nuk e kishin menduar mirë strategjinë për sot. /Erjon Allaraj-VipSport.al/