Stërvitja e parë e Shqipërisë/ Kamberi bashkohet me kuqezinjtë, probleme për Strakoshën dhe Balaj

Ditën e sotme në orën 15:00 ka nisur edhe stërvitja e parë e Shqipërisë nën urdhrat e trajnerit Edi Reja për dy sfidat e fundit kualifikuese të Euro 2020, ato ndaj Andorrës më datë 14 nëntor dhe Francës më datë 17 nëntor. Në këtë seancë të parë stërvitore, kuqezinjve i është bashkuar edhe risia e madhe në këtë grumbullim, Florian Kamberi.

Sulmuesi ka takuar shokët e Kombëtares, dhe pritet të debutojë në njërën prej këtyre dy ndeshjeve. Sakaq, pjesë e stërvitjes kanë qenë edhe dy futbollistët e U 21, mbrojtësi Serxho Kalaj dhe portieri Andrea Hoxha. Kjo për arsye se lojtarët duhet të jenë të pranishëm për ndeshjen brenda grupit, për shkak se Berat Gjimshiti ende nuk i është bashkuar grupit dhe pritet të mbërrijë në orën 16:00, ndërsa portieri Tomas Strakosha për shkak të një problemi në bërryl, nuk do të marrë pjesë në këtë stërvitje.

Sakaq, probleme ka pasur edhe për sulmuesin Bekim Balaj. Shkodrani ka ndjerë shqetësim në kofshën e djathtë, pas ndeshjes së para dy ditëve me Shturm Grac. 28-vjeçari ka kryer edhe një rezonancë gjatë paradites. Ndërkaq, humori ka qenë i pranishëm në Kombëtare. Teksa pas vonesës në mbërritje të Manajt dhe Memollës, tekniku Reja është shprehur se do t’i gjobisë futbollistët. E gjitha në formën e shakasë, fjalë që shërbyen për të mbajtur lart entuziazmin e grupit. /Egi Çabeli-VipSport.al/