Stërvitja e fundit / Argëtim në “shtëpinë e re”, Reja ndan kuqezinjtë në dy ekipe

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në stadiumin e ri kombëtar, për të mbyllur përgatitjet për ndeshjen e fundit të eliminatoreve të Euro 2020, ndaj Francës. Kuqezinjtë kanë shkelur për herë të parë tapetin e stadiumit “Air Albania”, që do ët kthehet në “shtëpinë e tyre” në vitet në vazhdim.

Duket se problemet e vogla fizike që shoqëruan në ndeshjen ndaj Andorrës si dëmtimi i Trashit dhe gjendja e Ndojit që mori një goditje në kofshë në pjesën e parë, janë lënë pas. Lojtarët sot kanë bërë ushtrimet e zakonshme fizike normalisht, ndërsa më pas Reja ka mbledhur grupin dhe i ka ndarë në dy skuadra për të zhvilluar një lojë ku pasimet bëheshin me dorë.

Trajneri ka përzier si zakonisht ekipet, duke mos dhënë absolutisht indikacione mbi ato që do të ishin zgjedhjet e tij për këtë ndeshje. Nga njëra anë ishin Hysaj, Veseli, Dermaku, Memolla, Lenjani, Ndoj, Gjasula, Selahi, Qose, Uzuni dhe Manaj. Nga ana tjetër ishin Gjimshiti, Ismajli, Mihaj, Roshi, Trashi, Ramadani, Memushaj, Bare, Seferi dhe Balaj.

Të dy skuadrat luajtën për disa minuta duke u argëtuar nën vëmendjen e trajnerit, i cili priti largimin e mediave nga tribunat e stadiumit, për të filluar punën e mirëfilltë taktike, edhe pse për pak minuta në atë që ishte seanca e fundit stërvitore e kuqezinjve para duelit. /vipsport.al/