S’ka miqësore, në Durrës shqetësojnë dy titullarët e rëndësishëm

Teuta nuk do të luajë miqësore në mesjavë, ndërsa trajneri Bledi Shkëmbi ditën e sotme ka aplikuar dy seanca stërvitore. Ushtrime në palestrën e forcës, ndërsa nuk ka lënë pas edhe lojën në fushë.

Por durrsakët kanë probleme dhe bëhet fjalë për lojtarët titullarë. Rustem Hoxha nuk do të luajë në sfidën e radhës me Vllazninë në Shkodër. Por, në dyshim është edhe mesfushori me tipare sulmuese, Arbër Çyrbja.

Ky i fundit, në sfidën e fundjavës së shkuar në Gjirokastër pësoi tërheqje dhe tashmë mbetet për t’u parë këto 2-3 ditë për të përcaktuar më pas edhe shkallën e dëmtimit dhe nëse Çyrbja do të jetë apo jo në transfertën me kuqeblutë.

Gjithsesi, trajneri Blendi Shkëmbi ka alternativa, madje në mbrojtje është Shkalla që ka provuar të mbajë edhe peshën e titullarit, e po ashtu edhe në repartin ofensivë ka lojtarë të tjerë dhe të rinj të talentuar.

E.S./Vipsport.al/