Shqipëria U17 i reziston thuajse një orë Ukrainës, i jep lamtumirën kualifikimit

Përfaqësuesja shqiptare U17 ka regjistruar sot humbjen e dytë radhazi në grupin kualifikues të Europianit të kësaj grupmoshe. Pas humbjes përballë Portugalisë, skuadra e drejtuar nga Elvin Beqiri është mposhtur edhe nga Ukraina në ndeshjen që u zhvillua në Portugali.

Kuqezinjtë kishin vendosur të aplikonin përsëri një lojë tërësisht në mbrojtje, duke tentuar vetëm kundërsulme. Një skemë e cila u dha mundësinë ukrainasve të kërkonin e krijonin më shumë raste, por pa arritur të shënonin përballë portierit Simoni.

Megjithatë, “muri” kuqezi u thye pa u mbushur një orë lojë. Sulmuesi kryesor i Ukrainës, Shostak, arrit të dërgonte topin në rrjetë duke i dhënë qetësinë skuadrës së tij, kur regjistrohej minuta e 57 e sfidës. Kuqezinjtë provuan të dilnin në sulm por Ukraina u shfaq solide në prapavijë dhe në rastin tjetër që iu shfaq dyfishoi shifrat me anë të Mampasi, duke vulosur fatin e sfidës.

Me këtë rezultat, Shqipëria e sheh veten jashtë pjesëmarrjes së mëtejshme në Europian dhe mbetet vetëm ndeshja me Gjeorgjinë për të përcaktuar nëse do të mbaje vendin e tretë apo të katërt në grup. /vipsport.al/

Ukrainë U17 – Shqipëri U17 2-0
57′ Shostak, 84′ Mampasi

Ukraina: Isenko, Roman, Mampasi, Kozik, Buleza, Oçeretko, Jatsik, Kononov, Voloshin, Khlan, Shostak.
Trajner. Oleksandër Petrakov

Shqipëria: Simoni, Mehmeti (90′ Tajari), Preka, Cehu, Mitaj, Kasemi (89′ Kasemi), Mata (89′ Miftiu), Papa, Gjuzi (75′ Dervishi), Janaqi, Lusha (29′ Tora).
Trajner. Elvin Beqiri