Shehu: Në stadium për Kombëtaren, jo për lojtarët e Francës. FSHF ka marrë sinjal nga UEFA

Tifozët e Shqipërisë duhet të jenë të shumtë jo vetëm në “Arenën Kombëtare” për ndeshjen ndaj Francës por edhe në atë paraardhëse ndaj Andorrës. Fation Shehu, botues i VipSport, tregon në “Rubrika Sportive” se pse iniciativa e FSHF-së për të unifikuar biletat, edhe pse e sforcuar dhe kontestuar, ka një qëllim në vetvete që mund t’i shërbejë ekipit.

“Te stadiumi ka kuriozitet, ka pjesën për të qenë të parë një gjë të re. Më vjen keq jo te mënyra se si bëhet shitja e përbashkët e biletave, por për dy ndeshjet e Shqipërisë si interpretohen, se mendoj se është e mirë që edhe detyron ta shohin, se Kombëtarja është ajo edhe me Andorrën, të njëjtët lojtarë do luajnë.

Pjesa e detyrimit për të parë dy ndeshjet duhet bërë, se nuk duhet të shkojmë të shohim ndeshjen vetëm se janë futbollistët e Francës. Me atë shifër prej 10 mijë lekësh, edhe duke mos ardhur me Andorrën në stadium, kanë dhënë një kontribut të vogël për kombëtaren.

Krijimi i klubit të tifozëve të kombëtares është pa taban për vazhdimësinë. Por sipas meje janë shumë të arsyeshme çmimet në krahasim me ata që kemi parë në ndeshje të tjera në kushte ku e ku më ndryshe e jo në një stadium si ky. Një çmim 5 mijë lekë në tribunë ballore, është i përballueshëm për çdo tifoz që do të shohë Shqipërinë ndaj Francës, në një tribunë të barazvlefshme me kushtet e asaj VIP në stadiumet e tjera.

Dyndja në stadium ngjante me pamjet tragjikomike të tortës së pavarësisë, ishte më shumë një tendencë për të qenë në stadium për të pasur luksin për të marrë një biletë për atë ndeshje sesa prania e tifozëve që kanë ndjekur edhe në ndeshje të tjera ekipin dhe njohin 11 futbollistët në fushë. Ajo që më ka bërë çudi është se  njerëzit dashamirës kërkojnë bileta për të shkuar çift. Ky është  tejkalimi i kultit përtej imazhit të stadiumit të ri, i jep emancipimin  tifozëve për të parë një spektakël futbolli.

Nuk besoj se mund të ndërrohet stadiumi për ndeshjen me Francën. Për sa kohë që FSHF ka nxjerrë në shitje biletat, ka marrë sinjalizim nga UEFA që ndeshja do të luhet atje”, tha Shehu. /vipsport.al/