Shaland sheh të ardhmen edhe pas Euro 2020: Qëndroj nëse populli e skuadra e dëshirojnë

Bernard Shaland e sheh të ardhmen e tij te Kosova edhe pas përfundimit të Euro 2020, sido që të shkojnë gjërat në play-off të këtij aktiviteti në mars. Në një intervistë të dhënë për Klan Kosova, trajneri zviceran ka lënë gjithçka në dorë të FFK-së, por do të dëshironte të vazhdonte.

“Jam shumë i kënaqur këtu. E kam në kokë kualifikimin në Euro 2020. Nuk jam aq i ri por nuk e planifikoj shumë të ardhmen. Mund të them se do të qëndroj nëse populli i Kosovës dhe skuadra më dëshirojnë. Por nuk varet prej meje”, deklaroi ai.

Tekniku ka filluar menjëherë punën për të përgatitur duelin e parë të play-off të marsit, atë sfidë ndaj Maqdonisë së Veriut për të synuar Euro 2020. “Nuk e kam pasur Maqedoninë e Veriut në mendje deri dje në orën 20:00, por tani e kam mendjen atje. Për momentin shoh vetëm rezultatet e nuk dua të jap një mendim për ta. Do të shkoj nesër në Shkup dhe do të nis punën për ndeshjen. Do të jetë një kundërshtar i fortë dhe një ndeshje e vështirë. Do të ndjek lojtarë që tani për sfidën e marsit, por nuk i frikësohem Maqedonisë së Veriut”, deklaroi trajneri i Kosovës. /vipsport.al/