Sadiku: Kombëtarja me jep emocione të veçanta, të shohim para drejt Botërorit

Ka mbetur përsëri larg kombëtares për shkak të një dëmtimi, por Armando Sadiku duket i bindur se do të mund të kthehet përsëri të veshë fanellën kuqezi, e për të cilën pranon se i jep një emocion të veçantë. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare duke folur sot para mediave në Spanjë, ka treguar se pret me padurim të bëhet pjesë e ekipit kur të fillojë punën për të synuar kualifikimin në Botëror.

“Nuk munda të shkoj se kisha dëmtim, por kombëtarja më jep gjithmonë një emocion special. Është normale që të shkoj të luaj me të. Por ky ishte një grup shumë i vështirë. Nuk u kualifikuam për në Europian, por tani shohim me padurim para për Botërorin”, tha Sadiku për mediat spanjolle ku shpjegoi edhe problemin që kishte pasur.

“Luajta një pjesë loje ndaj Alkorson dhe po stërvitem mirë. Kam vuajtur pak pasi dëshiroja të luaja në ndeshje, por ky dëmtim më mbajti jashtë. Tani jam i lumtur që u ktheva, kemi luajtur mirë por na mungon goli”, pranoi sulmuesi i cili ka shënuar 3 të tillë me fanellën e klubit deri tani.

Sadiku nuk kurseu as elozhet për tifozerinë e klubit të tij, duke deklaruar se nuk kishte parë asnjëherë si ajo. “Nuk kam parë asnjëherë një tifozeri që mbështet kështu ekipin, mua më emocionon shumë. Ka raste kur zemërohet kur ekipi nuk fiton, por tifozeria e mbështet gjithmonë skuadrën dhe më ka bërë shumë përshtypje pozitivisht. Jap gjithmonë 100% kur hyj në fushë për këta njerëz”, ishin fjalët e tij. /vipsport.al/