Rudi Vata flet me emra: Koha që Kombëtarja të ketë një trajner shqiptar, duhen kushte jo stadiume të bukura

E ardhmja e trajnerit Edi Reja në krye të Kombëtares mbetet ende e paqartë. Si trajneri italian, ashtu edhe presidenti Duka kanë shprehur dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin megjithatë ende nuk ka ardhur zyrtarizimi dhe gjithçka është pezull.

Sakaq, Rudi Vata shprehet se skuadra Kombëtare duhet të ketë një trajner shqiptar dhe të duhurin për këtë post, sheh Skënder Gegën. Në një prononcim për “Euronews Albania”, ai foli edhe për kushtet në futbollin shqiptar teksa shtoi se duhen shumë përmirësime.

“Reja ka bërë shumë eksperimente dhe disa ishin të gabuar e disa të qëlluar. Disa futbollistë u përgjigjën mirë në fushë e të tjerët nuk e shfrytëzuan momentin.

Emri i parë që më vjen në kokë është ai i Skënder Gegës. Ai është trajner kampion dhe që fitoi në Superiore me ekip shqiptar dhe i disponueshëm. Ka punuar në vende të ndryshme dhe ka kulturë pune multi-internacionale.

Futbollistët rriten në fusha sportive dhe Shqipëria ka nevojë për shumë kushte, bazë materiale dhe trajnerë të kualifikuar. Stadiumi pastaj, mendoj se një futbollist i përgatitur mirë taktikisht apo fizikisht mund të luajë edhe në stadiume jo fort të bukura”, tha Vata. /VipSport.al/

more recommended stories