Rudi Vata: Djali im nuk luan kurrë me Shqipërinë në këto kushte, askush nuk më ka kontaktuar

Rudi Vata është padyshim një nga figurat më të shquara të futbollit në Shqipëri, ndërkohë që djali i tij është grumbulluar nga të rinjtë e Irlandës. Ndoshta mund të duket pak paradoksale duke parë historinë e Vatës megjithatë ai shprehet se kurrë nuk ka parë interesim nga Shqipëria.

Vata shtoi se profesionalizmi në FSHF mungon dhe nuk është respektuar kurrë prandaj djali i tij nuk do të luajë kurrë me Shqipërinë nëse nuk përmirësohen gjërat.

“Yll te Sëlltiku? Isha njeri i ndeshjes së bashku me Pol MekGrath. Kur erdha te Sëlltiku, njoha shokët e skuadrës dhe për herë të parë në Dublin, dolëm për jetë nate. Debutimi im ishte kundër Sligo Roversit sepse ishim në tur përgatitor dhe është diçka speciale për mua dhe djalin tim që është tashmë në Irlandë.

Djali te Irlanda? Askush nga Federata Shqiptare nuk më ka kontaktua. E di që edhe Skocia e ka ndjekur por Irlanda ishte e para që na kontaktoi. Gjyshja e tij është irlandezja më e lumtur në Skoci.

Njerëzit në Shqipëri e dinë nga mediat se ai ka zgjedhur Irlandën dhe shumë njerëz po më telefonojnë. Është fakt që unë e dua vendin tim, jam krenar që jam shqiptar dhe kam sakrifikuar veten për vendin tim dhe e kam përfaqësuar me dinjitet.

Kjo është historia ime. Nëse Shqipëria është sado pak profesioniste, duhej të shfaqte pak interes dhe të bënte detyrat ashtu siç duhej. Ata duhej të dinin që ky djalë mund të luajë atje dhe do të më kishin kontaktuar. Ata nuk po tregojnë respekt, dëshirë dhe profesionalizëm dhe nëse nuk e bëjnë këtë, djali im nuk prek kurrë një top për Shqipërinë.

Shqipëria? Kam qenë krenar që kam luajtur dhe kam qenë kapiten. Gjëja më e rëndësishme për mua është që ai të zgjedhë me zemër dhe me mendje. Gjithçka mund të ndodhë në të ardhmen dhe është vetëm fillimi por vetëm Irlanda ka shfaqur interes dhe kemi qenë në kontakt me to.

Vendimi është i djalit dhe nëse më pyet mua, unë do të jap mendimin tim por nuk do të ndërhyj në zgjedhjen e tij. Ai është i lumtur që është përfshirë dhe shpresoj që ët bëjë mirë. Irlanda është një kombëtare e madhe dhe me histori të madhe e njerëz të mirë. Është një vend shumë i bukur dhe njerëzit janë shumë të dashur.

Jam i sigurt se ai do të jetë i lumtur këtu dhe do të trajtohet mirë. Nuk e kam parë shpesh dhe në stërvitje nuk shkoj sepse dua ta bëj të ndihet burrë. Në këtë sport duhet të bëhesh burrë në moshë të re dhe padyshim mendoj se te Sëlltiku është mirë”, tha Rudi Vata. /Erjon Allaraj-VipSport.al/