Rrëfimi i Sotir Ninit: Ika 1 vjeç nga Himara, asnjë kontakt nga Federata Shqiptare

Sa herë që flitet për futbollistë të cilët refuzojnë të veshin fanellën e Shqipërisë, shumë tifozëve u shkon ndër mend menjëherë emri i Sotir Ninit. Mesfushori i lindur në Himarë zgjodhi të përfaqësonte që në moshë të re Greqinë duke refuzuar mundësinë të vishej kuqezi e duke e cilësuar veten grek.

Në një intervistë të dhënë së fundmi në mediat greke, ku ai ka treguar jetën e tij, Nini ka mbështetur përsëri idenë se pse kishte bërë atë lloj zgjedhje pasi lidhjet e tij me Shqipërinë ishin shkëputur shumë herët. “Isha vetëm 1 vjeç kur u larguam përgjithmonë. Prindërit e mi kërkonin një fat më të mirë, një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”, shpjegoi ai, duke treguar pastaj se si kishte filluar të njihej me futbollin në një moshë të re, derisa mbërriti te Panathinaikos ku shpërtheu duke debutuar me ekipin e parë që 16-vjeç.

Asokohe, i erdhi edhe ftesa nga përfaqësuesja U19 e Greqisë, me Ninin që ka treguar se nuk e kishte menduar shumë zgjedhjen që do të bënte. “Në këtë moment nuk kishte asnjëherë në mendjen time një pikëpyetje mbi zgjedhjen. Nuk u mendova asnjëherë. Unë u rrita këtu, jetova këtu, kisha gjithçka këtu. Bëra atë që ndjeva brenda vetes time. Nuk kisha asnjë kontakt me Federatën Shqiptare”, theksoi tashmë 29-vjeçari për zgjedhjen që bëri 13 vite më parë.

Zgjedhje që e mbajti për pak vite në elitën e futbollit botëror, por duke e kaluar me kalimin e kohës në harresë e që tashmë, në moshën 29-vjeçare e sheh të tregojë talentin e tij vetëm në kategoritë e ulëta të futbollit izraelit. /vipsport.al/