Rinovim me telefon, Edi Reja është gati të firmosë me “klauzolën De Biazi”

Edi Reja do të vazhdojë të jetë trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit, akord parimor i arritur pas një dite të ethshme negociatash me telefon mes tij dhe numrit 1 të FSHF-së, Armand Duka. Trajneri kishte qëndruar në Tiranë për të biseduar për rinovimin e tij apo për lamtumirën, por Duka ka udhëtuar drejt Nionit në Zvicër pasi duhej të merrte pjesë në disa mbledhje të Komisioneve të organizatës së futbollit europian.

Gjatë ditës së sotme, FSHF i bëri propozimin përfundimtar trajnerit, duke i kërkuar që të qëndronte për katër vitet e ardhshme në drejtimin e Shqipërisë, ofertë të cilën Reja fillimisht e refuzoi pasi nuk dëshironte që as ai, e as punëdhënë si të mbeteshin peng i një kontrate të tillë. Megjithatë, ai pranoi kur u bë e qartë se nuk ishte një kontratë katërvjeçare e mirëfilltë.

Rinovimi i saj pas dy viteve të para lidhet me atë që është cilësuar tanimë si “klauzola De Biazi”. Kualifikimi i tij në Euro 2016 rinovoi asokohe automatikisht marrëveshjen që kishte lidhur me FSHF-në, duke e bërë të vazhdonte rrugëtimin edhe në kualifikueset e Botërorit 2018, edhe pse më pas i la në mes ata.

E njëjta gjë i është propozuar Rejas, që në rast kualifikimi në Botërorin 2022, marrveshja e tij të zgjatej deri në Euro 2024. 74-vjeçari ka pranuar me këto kushte, ndoshta duke qenë i ndërgjegjshëm që për momentin shanset e Shqipërisë për kualifikimin janë të vogla, edhe pse ai beson se mund të ndërtojë një skuadër të denjë për të kërkuar biletën për në Katar 2022.

Parametrat financiarë të kontratës nuk ndryshojnë, me trajnerin dhe stafin e tij që përfitojnë në total 300 mijë euro në vit, me kaluzola më pas që sjellin të ardhura të tjera në bazë të arritjeve të ekipit duke filluar nga Liga e Kombeve që nis në shtatorin e vitit të ardhshëm. Megjithatë, aspekti financiar ka qenë i fundit që ka diskutuar trajneri, i cili ishte më shumë i fokusuar në aspektin sportiv të marrëveshjes dhe planin e punës që do të ndjekë. Reja do të ketë thuajse një vit kohë për të përgatitur ekipin për atë aktivitet, që do të jetë edhe prova e parë nëse skuadra ka atë që nevojitet për të synuar kualifikimin në Botëror.

Mbetet vetëm firma në kontratë, por për momentin duket se palët kan ë gjetur një akord parimor, edhe pse fillimisht dukej se FSHF po tentonte të largonte teknikun. /vipsport.al/