Rikthim me peshë për Laçin, mbrojtësi i gatshëm prej sfidës me Kukësin

Skuadra e Laçit do të presë në këtë javë të Superiores, Kukësin. Kurbinasit kanë regjistruar një ecuri tejet pozitive në javët e fundit teksa kanë regjistruar tre fitore radhazi. Kështu, kanë lënë pas krizën e javëve të para dhe tashmë synojnë t’i bashkohen sa më shpejt grupit të ekipeve kryesuese.

Megjithatë, përballë verilindorëve nuk do të jetë aspak e lehtë, edhe pse trajneri Armando Cungu do të ketë një armë më shumë në dispozicion për këtë takim. Bëhet fjalë për mbrojtësin Eglantin Gjoni, i cili ishte dëmtuar në javën e shtatë të kampionatit, në sfidën ndaj Bylis.

Mbrojtësi pati problem me krahun, megjithatë tashmë duket se dëmtimi është lënë pas dhe Gjoni është i gatshëm për të dhënë kontributin e tij duke nisur nga sfida e kësaj jave. /Egi Çabeli-VipSport.al/