Ribaj: Kundër Luftëtarit do të hyjmë për fitoren e parë, kemi fituar besim dhe jemi në rrugën e duhur

Flamurtari është padyshim skuadra me më shumë probleme këtë sezon ku pas 12 javëve të para në Superiore, ende nuk e ka shijuar fitoren e parë. Këtë javë, kuqezinjtë presin në shtëpi skuadrën e Luftëtarit që gjithashtu e sheh veten në probleme të shumta dhe fitoret janë detyrim për të dyja ekipet.

Në një prononcim për “RTSH Sport”, Andi Ribaj u shpreh se Flamurtari do të kërkojë 3 pikëshin e parë këtë sezon. Sulmuesi i Flamurtarit shtoi se skuadra e tij ka hyrë në rrugën e duhur dhe se duhet të vazhdojë në këtë mënyrë.

“Është ndeshje e vështirë për ne dhe luftëtarin. Kemi punuar gjithë këto kohë dhe këtë pauzë e kemi përdorur për të bërë sa më mirë në ndeshje.

Është një ndeshje e vështirë dhe do hyjmë vetëm për 3 pikë sepse nëse fitojmë janë 3 pikët e para në këtë kampionat. Edhe ata do të bëjnë ndeshjen e tyre dhe jemi në fushën tonë nuk duhet të tolerojmë. Ndeshjet e fundit na japin optimizëm sepse kemi pasur shumë raste dhe duhet t’i shfrytëzojmë. E kemi nisur kampionatin me vonesë por gjërat po ecin në rrugën e duhur”, tha Ribaj. /VipSport.al/