Reja shpall të dielën listën për ndeshjet e fundit kualifikuese, tekniku italian me ndryshime

Shqipëria do të luajë ndeshjet e fundit për këtë fushatë kualifikuese të Euro 2020. Fillimisht, kuqezinjtë do të presin më datë 14 nëntor në Elbasan Arena, Andorrën, për ta mbyllur më pas në inaugurimin e Arenës Kombëtare më datë 17 nëntor përballë kampionëve të botës, Francës.

Trajneri i kuqezinjve, Edi Reja pritet të shpallë të dielën listën e lojtarëve të grumbulluar për këto dy takime. Italiani nuk do të mund të ketë të gatshëm mbrojtësin Marash Kumbulla, i cili është dëmtuar me Veronën. Ndërsa në dyshim mbetet edhe pjesëmarrja e Armando Sadikut pas dëmtimit të fundit me Malagën. Sakaq, do të rikthehet kapiteni Elseid Hysaj, ndërsa konfirmohet mbrojtësi i Partizanit, Lorenc Trashi.

Risia mund të jetë sulmuesi Florian Kamberi, i cili aktivizohet me Hibernian në kampionatin skocez dhe tashmë ka marrë vendimin për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi. Megjithatë, mbetet për të pritet dita e diel për listën zyrtare të grumbulluarve nga trajneri Reja.