Reja nuk ka kohë, e nis me dyshen Manaj-Kamberi në sulm dhe ndryshon planin e stërvitjeve

Trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit, Edi Reja, nuk ka  shumë kohë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen ndaj Andorrës, duke llogaritur se do të ketë grupin e plotë vetëm duke filluar nga e marta. Ndaj italiani,  duke ditur mirë rëndësinë që ka ndeshja ndaj skuadrës që mban një nga dy vendet e fundit në grup, ka vendosur që të ndryshojë planin e tij për këtë duel.

Kështu, burime pranë stafit kuqezi tregojnë se ai ka vendosur që të martën të zhvillojë dy seanca stërvitore, ndryshe nga një e planifikuar fillimisht, në mënyrë që të punojë sa më shumë mbi taktikën për këtë sfidë. Ai dëshiron që të japë idetë sa më të qarta dhe t’i tregojë ekipit edhe atë që duhet të bëhet për të çarë mbrojtjen e ngjeshur të miqve të cilët pritet të jenë më të tërhequr në prapavijë.

Që në seancën e të hënës ai ka dhënë indikacionet e para, duke provuar të sapoardhurin Kamberi si dyshe sulmi përkrah Manajt, i cii në mendjen e teknikut është për momentin një prej dy titullarëve në repartin e avancuar. Kjo do të thotë se ai i bën planet me lojtarin e afruar së fundmi dhe nëse do të jetë mundësia falë lejekalimit të FIFA-s, do t’i japë hapësira që në duelin e parë ndaj Andorrës të enjten. /vipsport.al/