Rasti Mihaj çudit edhe në Greqi: Ndonëse nuk luan, trajneri i Shqipërisë e grumbullon

Nëse ka një çudi në listën e Edi Rejas, ajo padyshim mban emrin Enea Mihaj. Futbollisti ishte titullar i padiskutueshëm te Panetolikos në sezonin e kaluar por në verë shkoi te PAOK për të ngrohur pankinën në rastin më të mirë, pasi që atëherë më shpesh sheh ndeshjet në tribunë.

E megjithatë, kjo nuk ka ndalur ftesat në adresë të tij nga stafi i përfaqësueses shqiptare, edhe pse në fakt Mihaj pjesën më të madhe të ndeshjeve të përfaqësueses i ka kaluar po në tribunë duke i ndjekur si spektator. Një rast i çuditshëm që sigurisht ka rënë në sy edhe në Greqi, ku mediat vendase kanë shkruar për këto thirrje të mbrojtësit nga Shqipëria.

“Mbrojtësi i ri i PAOK mund të mos ketë luajtur asnjë ndeshje këtë vit, por është gjithmonë mes të grumbulluarve nga trajneri i Shqipërisë. Futbollisti 21-vjeçar nuk ka marrë ende shansin e tij nga Abel Ferreira, por kjo nuk e ndalon trajnerin e Shqipërisë që ta thërrasë për kualifikueset e Europianit”, insiston “Metrosport”.

Ajo ka postuar edhe një foto nga rrjetet sociale të lojtarit ku tregon se është takuar me një tjetër ish-futbollist të PAOK, Kristi Qosen, i cili ka kaluar fëmijërinë e tij në akademitë e klubit grek. /vipsport.al/