Radiot franceze refuzojnë të paguajnë FSHF-në: Kërkojnë shumë, thyejnë rregullat ndërkombëtare

Katër radio franceze kanë vendosur që të mos transmetojnë direkt ndeshjen mes Shqipërisë dhe Francës nga stadiumi, por nga gazetarë të tyre që e shohin në televizor në Francë. Vendimi është marrë pasi radiot në fjalë e kanë cilësuar të papranueshme kërkesën që u ka vërë FSHF e cila kërkon pagesa ekstra për transmetimin nga “Air Albania”.

“Europe 1”, “Radio France”, “RMC” dhe “RFI” kanë çuditur kur në adresë të tyre ka mbërritur një e-mail nga sektori i marketingut i FSHF që kërkonte nga ata një pagesë prej 1500 eurosh që të mundësonte transmetimin. “Mbetëm pak të çuditur nga kjo kërkesë. Normalisht janë në të drejtën e tyre, por Unioni i Transmetuesve Europianë (EBU) saktëson se këto pagesa nuk duhet të kalojnë 1000 euro. Negociuam tre ditë por nuk morëm kurrë një përgjigje të qartë. Edhe Federata Franceze u mundua të bëhej ndërmjetëse, por pa sukses”, shpjegoi përgjegjësi i “Radio France”, Vincent Rodriguez.

Radiot i kërkuan ndihmë edhe UEFA-s, por pa sukses. “Ne propozuam 600 euro në mënyrë kolektive, por nuk morëm përgjigje”, shpjegoi Zhan Fransua Perez i “Europe 1”. Ndaj u mor vendimi që të mos bëhej transmetimi drejtpërdrejt, me atmosferën e stadiumit të ri në kryeqytetin shqiptar. E vetmja radio që do të transmetojë do të jetë “RTL”, pasi është partnere e Federatës Franceze dhe kjo e fundit mund të kërkojë që bashkëpunëtorët e saj të mos paguajnë taksa të tilla, ashtu siç ka ndodhur. /vipsport.al/