Protagonistët/ Ja formacioni më i mirë i javës së 12 të Kategorisë Superiore

Java e 12 e Kategorisë Superiore e ka konfirmuar edhe një herë tjetër se ky sezon është kampionati i çudirave. Rezultatet surprizë nuk kanë munguar as këtë javë ashtu siç nuk kanë munguar golat e shënuar nga protagonistët. “VipSport.al” ka përzgjedhur 11 futbollistët më të mirë që me paraqitjet e tyre kanë spikatur këtë javë.

Protagonistët:

Shpëtim Moçka (Flamurtari)
Kuqezinjtë po kalojnë një moment shumë të vështirë në kampionat dhe e shohin veten në vendin e fundit. Në barazimin me shumë vlera që ka arritur të marrë ndaj kampionëve të Partizanit, Moçka ishte padyshim protagonist me pritjet e tij. Eviton gola të sigurt dhe humbjen e radhës për kuqezinjtë duke qenë më i miri në fushë.

Egzon Belica (Partizani)
Pak javë më parë shënoi dhe ndëshkoi Skënderbeun, ndërsa këtë javë ndëshkon Flamurtarin. Përveç sigurisë që jep në mbrojtje si në skemën me 3 ashtu edhe me 4, Belica po kthehet shumë në të rëndësishëm te skuadra e kuqe duke marrë edhe rolin e shënuesit.

Erhun Obanor (Kukësi)
Bën një nga paraqitjet më të mira me fanellën e Kukësit. Arrin të fitojë çdo dyluftim me sulmuesin më të mirë të Superiores, Nuabuezen duke e neutralizuar dhe duke mos e lejuar për asnjë moment të jetë i rrezikshëm. Nis disa herë skuadrën në sulm me topa të gjatë nga thellësia e mbrojtjes.

Jurgen Goxha (Bylis)
Goxha shënon një tjetër gol të bukur me fanellën e Bylisit. Kthen në gol një roveshatë duke i dhënë skuadrës avantazhin e përkohshëm megjithatë lë pak hapësira në mbrojtje. Një nga më të dalluarit në takimin kundër Skënderbeut.

Valentino Murataj (Bylis)
Kapiteni i Bylisit është kthyer një nga më të rëndësishmit te skuadra ballshiote. Shënon një gol mjaft të rëndësishëm në një ndeshje shumë delikate dhe kërcënon disa herë portën e Koliçit. Padyshim një nga më të mirët në skuadrën e Bylisit.

Idriz Batha (Tirana)
Në takimin ndaj Vllaznisë, Tirana ishte larg pritshmërive në lojë teksa në mesfushë ishte Batha ai që shkëlqeu duke kërcënuar portën e Sherrit. Tenton goditje nga larg, krijon shumë dhe ndihmon mbrojtjen në gabimet e shumta që bën.

Agon Elezi (Skënderbeu)
Megjithëse është një nga më të rinjtë në formacionin e korçarëve, Elezi bën një paraqitje fantastike në ndeshjen ndaj Bylisit. Skuadra vinte me mungesa të shumta dhe paraqitja e bërë nga Elezi e justifikon besimin që i ka dhënë trajneri Daja.

Dejvi Bregu (Skënderbeu)
Bregu vazhdon të tregojë vlerat e tij në Korçë. Sulmuesi vlonjat ishte më i miri në fushën e vështirë të Bylisit. Fiton 2 penallti, njërën prej të cilave e kthen vetë në gol teksa tjetër ia lë sulmuesit Blerim Krasniqi.

Regi Lushkja (Laçi)
Bardhezinjtë morën një fitore të vështirë ndaj Kukësit dhe në një ndeshje ku ishte i bllokuar Nuabueze, Lushkja arrin të krijojë disa mundësi të rrezikshme. Shpesh kthehet edhe mbrapa për të mbyllur aksionet e verilindorëve dhe arrin ta bëjë me sukses.

Maranhao (Vllaznia)
Nuk ka pasur shumë minuta këtë sezon me Vllazninë, por në minutat e dhëna ka bërë mirë. Ndaj Tiranës ishte nga më të dalluarit dhe vihet re se ka aftësi të mira në kontrollin e topit dhe hapjen e lojës në krahë. I qetë dhe nuk humbet topin.

Gresild Lika (Luftëtari)
Në mungesë të Realdo Filit, sulmi iu besua Likës i cili arriti ta justifikonte mirë besimin e dhënë. Kërcënon portën e Frashërit disa herë por gardiani ishte në një ditë të mirë. Justifikon besimin e trajneri Marantas. /Erjon Allaraj-VipSport.al/