Polemikat për “VAR”-in bien në vesh të shurdhër, në Itali janë gati të marrin hapin e radhës

Sistemi “VAR” vazhdon të krijojë polemika të shumta duke qenë se specialistët janë të dyzuar në lidhje me të. Shumë prej tyre e shohin si shpëtim për futbollin teksa të tjerët shtojnë se ky sistem po humbet emocionet që mund të dhurojë futbolli. Fillimisht, mendohej që “VAR” do t’i jepte fund polemikave në lidhje me rastet e dyshimta në futboll por në fakt nuk po ndodh kështu.

Fakti që ka shumë gabime dhe kundërshtime edhe me këtë sistem, ka bërë që të mendohet se janë gjyqtarët ato që komandojnë ndeshjet duke krijuar sërish tension në fushë dhe jashtë saj. Sakaq, këto polemika duket se nuk po iu bëjnë shumë përshtypje drejtuesve të futbollit italian që janë të gatshëm të marrin një tjetër hap për këtë sistem.

Tashmë në horizont është që sistemi “VAR” të përdoret edhe në Serinë B, aty ku pritet që të hyjë në përdorim që në “Play Off”. Duke parë rëndësinë që kjo fazë ka për kampionatin, në Itali presin që gabimet e ghyqtarëve të mos jenë faktorë për të përcaktuar skuadrën që ngjitet apo bie nga kategoria. /Erjon Allaraj-VipSport.al/