“Po nuk kontaktoi Kosova, luan për Shqipërinë”, dalin në skenë mesazhet për Kamberin

Florian Kamberi pritet të jetë risia e radhës e përfaqësuese shqiptare për grumbullimin e këtij muaji, në ndeshjet zyrtare ndaj Andorrës dhe Francës. Sulmuesi i cili aktivizohet në Skoci, ka qenë nën vëzhgimin e Zvicrës, Kosovës e Shqipërisë e më në fund ka vendosur të veshë fanellën kuqezi.

Por a ishte Shqipëria zgjedhja e parë e lojtarit i cili ka hezituar prej më shumë se një viti që të kthejë përgjigjen pozitive? “Telesport” ka publikuar një bisedë me një familjar të Kamberit, i cili më datë 3 nëntor, sqaronte se nëse Kosova nuk bëhej e gjallë për 2-3 ditë, atëherë Kamberi do të luante për Shqipërinë.

“Tash biseduam me Dukën dhe për 2 apo 3 ditë nëse nuk lajmërohet Kosova, Floriani luan për Shqipërinë”, janë fjalët e tij. Mesazh i cili në vend që të qartësojë diçka, hedh më shumë hije mbi mënyrën se si bëhen zgjedhjet e ekipeve kombëtare nga lojtarët të cilët kanë 2 apo 3 mundësi për të ardhmen e tyre. /vipsport.al/