Paqe pas furtunës te Anglia, Sterling shpjegon incidentin me Gomez: Ishte çështje sekondash

Dueli mes Liverpulit dhe Mançester Sitit në kampionatin anglez ka lënë me pasoja edhe në përfaqësuesen e Anglisë, ku Rahem Sterling dhe Xho Gomez janë përplasur në stërvitje. Situata mes tyre është tensionuar aq sa është dashur ndërhyrja e të tjerëve që të ndajnë Sterling nga futbollisti i Liverpulit, pasi sulmuesi i Sitit e kishte kapur nga fyti shokun e skuadrës, duke kujtuar një përplasje mes të dyve dhe një dialog gjatë sfidës së kampionatit.

Trajneri Garet Sauthgejt vendosi menjëherë të pezullonte Sterling për ndeshjen kundër Malit të Zi, por e mbajti në grumbullim e nuk e ktheu në shtëpi pas ndërhyrjes së lojtarëve të tjerë, duke filluar nga Gomez i cili kishte shpjeguar se gjithçka kishte mbaruar aty dhe se nuk ishte nevoja që të merrej një masë drastike.

Vetë Sterling, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka shpjeguar ngjarjen, duke insistuar se nuk duhej bërë më e madhe se sa kishte qenë në të vërtetë. “Së pari dhe më e rëndësishmja, të gjithë e dinë se çfarë do të thotë ajo ndeshje për mua, të gjithë e dinë se unë nuk jam person me tendenca të tilla. Si unë, ashtu edhe Xho, shkëmbyem fjalë, zgjidhëm situatën dhe vazhduam rrugën tonë. Jemi pjesë e një sporti ku emocionet janë të mëdha dhe unë jam aq burrë sa ta pranoj kur emocionet fituan ndaj meje.

Ecim përpara, kjo është arsyeja pse ne e luajmë këtë sport, për dashurinë që kemi për të. Unë dhe Xho Gomez jemi në rregull me njëri-tjetrin, të dy e kuptuam që ishte një gjë prej 5-10 sekondash, ka mbaruar, shohim përpara dhe të mos e bëjmë këtë më të madhe se sa ishte. Le të fokusohemi në ndeshjen e të enjtes”, tha Sterling, i cili në atë sfidë nuk do të jetë në fushë, por pritet që të japë kontributin e tij ndaj Kosovës. /vipsport.al/