“Nuk mund ta pranoj stolin e Çelsit, i dua shumë tifozët e bluve”, Murinjo harron deklaratën e vitit 2015

Hoze Murinjo është emëruar si trajneri i ri i Totenhem, pasi klubi londinez vendosi të shkarkonte pas pesë viteve bashkëpunim trajnerin Mauricio Poçetino. Kështu, drejtuesit e Totenhem përfituan nga fakti që Murinjo ishte pa skuadër dhe arritën marrëveshjen deri në vitin 2023, ku luzitani do të përfitojë 15 milionë paund në sezon.

Por, së fundmi është sjellë në vëmendje një deklaratë e Murinjos, i cili në vitin 2015 ka zbuluar një prapaskenë, ku i është ofruar stoli i Totenhem në vitin 2007. 56-vjeçari në atë kohë shprehej se kishte pasur ofertë nga “ Spurs” por nuk mund ta pranonte për respekt të tifozëve të Çelsit, duke qenë se rivaliteti mes dy klubeve londinezë është i madh.

“ Kam pasur ofertë nga Totenhemi, por nuk mund të shkoja. Kisha një marrëveshje me Çelsin që nuk mund të trajnoja në Angli për dy vitet e ardhshme. Por, nuk do ta pranoja detyrën sepse i dua shumë tifozët e Çelsit”, shprehej Murinjo. Megjithatë, tashmë pas disa viteve, situata duket të ketë ndryshuar.