Nuk ka më vend për të, braziliani i jep lamtumirën Laçit pa pritur pushimet

Një futbollist i afruar me shumë bujë gjatë verës i ka dhënë lamtumirën Laçit pa pritur as që të mbyllet gjysma e parë e sezonit. Sulmuesi brazilian Stenio Garcia Dutra ka vendosur që të largohet nga kurbinasit dhe ka gjetur akordin për të prishur kontratën me të pasi nuk gjente hapësira në radhët e ekipit.

Futbollisti 25-vjeçar kishte ardhur me shumë bujë në radhët e kësaj skuadre nga finlandezët e Lahti pasi kishte marrë miratimin e stafit teknik dhe mendohej se do të ndihmonte Laçin në fazën ofensive me golat e tij. Por rendimenti i Stenio nuk ishte ai i pritshmi dhe me vetëm 2 ndeshje në Kupën e Shqipërisë, ai nuk arriti të shfaqte atë që pritej.

Me Nuabuezen në formë, Xhixhën apo Tekon, Laçi siguroi vijën e parë dhe me Malçin si alternativë, hapësirat për Stenio nuk ekzistonin më. Ndaj braziliani ka gjetur mirëkuptimin duke ndërprerë marrëveshjen dhe ka marrë letrat duke u larguar nga klubi. /vipsport.al/