Një nga yjet nuk ia del, Duro detyrohet të improvizojë përsëri me Laçin

Kukësi do të ketë mungesën e një prej futbollistëve kryesorë të tij për ndeshjen e kësaj fundjave kundër Laçit. Shpëtim Duros do t’i duhet që të bëjë për këtë sfidë pa Kristal Abazajn, pasi lojtari nuk rikuperon në kohë për këtë duel dhe mund të jetë i gatshëm vetëm për ndeshjen e radhës pas pauzës së kombëtareve.

Pas vizitave mjekësore që ka kryer këto ditë, Abazajt i është bërë e ditur se dëmtimi i pësuar duke u përplasur në rrethimin prej betoni të fushës në Lushnje, ka nevojë për rreth 10 ditë fazë riaftësimi, pas të cilës mund të kthehet normalisht në fushë. Kësisoj, Abazaj do të jetë jashtë për ndeshjen ndaj Laçit dhe do të shfrytëzojë ditët e pushimit për ndeshjet e kombëtares që të kryejë këtë minifazë riaftësimi të plotë për të qenë në gjendjen më të mirë në takimin e radhës që është po aq i rëndësishëm, pasi luhet ndaj Bylisit.

Ndërkohë, Duros do t’i duhet që për të disatën sfidë radhazi të ndryshoj planin e tij për repartin e avancuar, duke bërë improvizimin e radhës për këtë duel ku verilindorët nuk kanë alternativa të tjera veç fitores. /vipsport.al/