Nisma e veçantë në Holandë, lojtarët vendosin të mos lëvizin për një minutë

Racizmi është kthyer në një fenomen shumë real në disa prej stadiumeve të kampionateve kryesore në Europë e lojtarët apo ligat e ndryshme po organizohen për të luftuar këtë fenomen. Një nga kampionatet që ka ndërmarrë një hap të parë solidariteti është ai holandez, ku lojtarët me ngjyrë kanë qenë gjithmonë ndër vite të shumtë e përfaqësues të denjë të kombëtares së këtij vendi.

Disa ditë më parë, lojtari i Ekselsior, Ahmad Mendes Moreira, u përball me thirrje raciste nga tribunat dhe fillimisht u largua nga fusha e lojës në shenjë proteste. Por pastaj ai u kthye përsëri e la shenjë në sfidë me përgjigjen më të mirë të mundshme, duke gjetur edhe rrugën e rrjetës.

Në shenjë solidariteti ndaj tij, futbollistët  e kampionatit të Eredivisie dhe të kategorisë së dytë, kanë vendosur që të bëjnë të dukshme protestën e tyre. Kështu, asnjë nga skuadrat nuk do të lëvizë në fushë në minutën e parë të sfidës, në shenjë proteste e paralajmërimi ndaj atyre të cilët lëshojnë thirrje raciste nga shkallët e stadiumeve. /vipsport.al/