Në Shqipëri e thërrasin vetëm për miqësore, Doda bën lëmsh planet e Palermos

Mungesa e Masimiliano Dodës cilësohet si problem i madh për këtë fundjavë nga Palermo. Futbollisti i talentuar 19-vjeçar është kthyer në element të padiskutueshëm në radhët e formacionit të klubit të njohur italian i cili po përpiqet të ringrihet nga Seria D pas falimentimit.

Doda pret prej kohësh ftesën nga përfaqësuesja Shpresa, pasi është një ndër mbrojtësit e rinj që po luan më rregullisht. Por ai ka marrë vetëm atë nga kombëtarja U20 për një miqësore me Kroacinë. Gjithsesi, djaloshi ka pranuar me shumë kënaqësi që të veshë fanellën kuqezi edhe për këtë sfidë dhe ka udhëtuar drejt Shqipërisë për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Biturku, duke prishur planet e klubit të tij që e sheh si të pazëvendësueshëm.

“Gazzetta Dello Sport”, në artikullin që i kushtohet Palermos, ka theksuar se si mungesa e shqiptarit po detyron trajnerin që të ndryshojë thuajse të gjithë rreshtimin, pasi i duhet të improvizojë në një pozicion ku futbollisti shqiptar kishte qenë i padiskutueshëm. Një vlerësim i latë për djaloshin i cili shpreson që të marrë të tilla edhe në Shqipëri e të bëhet pjesë e përfaqësueseve kuqezi edhe në grumbullimet zyrtare. /vipsport.al/