Në Maqedoninë e Veriut nisin dyshimet: Si do të reagojnë lojtarët shqiptarë kundër Kosovës?

Një nga duelet më të zjarrta të play-off për pjesëmarrjen në Euro 2020 do të jetë padyshim ai mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, i cili do të luhet në Shkup. Një duel mes dy vendeve fqinje, por që do të jetë i ngarkuar emocionalisht sidomos nga tifozeria vendase e cila nuk e ka fshehur urrejtjen ndaj shqiptarëve në shumë raste.  

Për t’i hedhur benzinë zjarrit ka menduar edhe një adresë shumë e njohur në Twitter që shpërndan lajme për futbollin maqedonas, “Macedonian Football”. Kjo e fundit, e ka cilësuar si të panjohurën e madhe praninë në fushën e lojës të Bardhit, Alioskit, Ademit dhe Musliut, katër futbollistëve të cilët pritet të luajnë si titullarë përballë Kosovës në atë duel.

“Mendoj se e panjohura e madhe për ndeshjen mes Maqedonisë së Veriu dhe Kosovës në mars do të jetë se sa të motivuar do të jenë 4 titullarët me etni shqiptare. Besoj se është një pyetje legjitime dhe e drejtë. Nëse ata nuk janë të përfshirë plotësisht emocionalisht, atëherë ne do të jemi në disavantazh”, shkruhet në këtë adresë.

“As mos e vini në diskutim që do të ketë provokime. Kjo do të jetë një ndeshje e rrezikshmërisë së lartë. Fansat e të dy skuadrave do të përfaqësohen në tribuna. Me shumë mundësi himnet e të dy skuadrave do të vërshëllehen. Si do të reagojnë lojtarët tanë me etni shqiptare ndaj kësaj? Policia do të ketë një punë të vështirë për atë ditë”, vijonte komenti që ka hapur shumë polemika mes tifozëve.

Na fakt, shumë prej tyre kujtojnë ndeshjen me Shqipërinë si shembull, ku Bardhi apo Alioski ishin ndër më të mirët në fushën e lojës. Në një debat që do të vazhdojë gjatë pasi mbështetësit me etni sllave kanë filluar prej ditësh që të hedhin idenë se disa prej këtyre lojtarëve nuk duhet të luajnë këtë sfidë të rëndësishme. /vipsport.al/

more recommended stories