Ndryshime te lista e Shqipërisë U 21, dëmtohet Muçolli dhe grumbullohet talenti i Tiranës

Lista e të grumbulluarve nga trajneri i Shqipërisë U 21, Alban Bushi ka pësuar ndryshime ditën e sotme. Për shkak dëmtimi, Arbnor Muçolli është detyruar të braktisë kuqezinjtë dhe nuk mund të jetë i gatshëm. Në këtë formë, tekniku Bushi ka thirrur mesfushorin e Tiranës, Jurgen Çelhaka.

18-vjeçari është kthyer në një titullar te bardheblutë duke dhuruar paraqitje dinjitoze në fushën e lojës, ndërsa ka treguar cilësitë se mund të ketë një të ardhme të madhe. Edhe në ditën e djeshme, trajneri Bushi ka theksuar se e ka pasur në vëmendje lojtarin por ka menduar se është më mirë të ishte pjesë e U 20.

Megjithatë, pas këtij problemi me Muçollin, tashmë Çelhaka do të jetë pjesë e Shqipërisë U 21. Pjesë e U 21 nga Tirana në këtë grumbullim nuk është vetëm Çelhaka por edhe mbrojtësi Marsel Ismailgeci. Shqipëria U 21 do të luajë ndeshjen e radhës kualifikuese për Europianin më datë 15 nëntor ndaj Anglisë. /Egi Çabeli-VipSport.al/