Ndodh edhe kështu! U largua për ndeshjet me Kombëtaren, futbollisti rus nuk kthehet më në klub

Kampionatet elitare në Europë ishin pushim gjatë fundjavës që lamë pas duke qenë se skuadrat Kombëtare kishin edhe ndeshjet e fundit kualifikuese para se të mbyllej kjo fushatë. Kështu, futbollisti rus Zaur Sadaev u largua në drejtim të Rusisë për ndeshjet me vendin e tij por ai ende nuk është kthyer në klub kur kanë disa ditë nga përfundimi i pushimeve.

Për më tepër, futbollisti as që ishte grumbulluar fare me skuadrën e Rusisë dhe largimi në drejtim të vendit të tij, duket se ka qenë justifikimi më i mirë për t’u larguar nga klubi i Ankaraguçu. Mediat turke raportojnë se klubi e ka publikuar diçka të tillë dhe tashmë kërkon informacion për të, teksa vetë futbollisti nuk i përgjigjet telefonatave të klubit.

“Sadaev nuk është rikthyer më pas pushimeve të Kombëtareve. Mes nesh nuk ka asgjë dhe për momentin është e pamundur të kontaktojmë. 7 apo 8 ditë pasi përfundoi pushimi nga Kombëtaret, Sadaev nuk është më me ne. përderisa ende nuk e kemi arritur, u pa e nevojshme që ta shpjegojmë”, tha trajneri Mustafa Kaplan. /Erjon Allaraj-VipSport.al/