Ndeshjet e kombëtareve rikthejnë polemikat në Spanjë, skuadra e shqiptarëve sërish me “Virusin FIFA”

Pas pak ditësh, ekipet kombëtare do të grumbullohen për ndeshjet e fundit kualifikuese në Europian, aty ku edhe Shqipëria ka dy takime statistikore pasi matematikisht e ka mbyllur garën për një vend në Europian. Kuqezinjtë do të përballen me Andorrën dhe me Francën teksa janë shpërndarë tashmë edhe ftesat për te futbollistët që do të jenë nën urdhrat e Edi Rejës.

Në Spanjë, kanë nisur sërish polemikat për ndeshjet ndërkombëtare duke qenë se skuadra e Malagës preket më shumë se çdo skuadër tjetër në Ligën e Dytë spanjolle. Me ekipet e tyre përfaqësuese, shkojnë më shumë se gjysma e skuadrës ndërkohë që të njëjtën kohë, Malaga duhet të zhvillojë ndeshjet e saj në kampionat duke u detyruar që të aktivizojë shumë të rinj.

I konsideruar si “Virusi FIFA” për shkak se futbollistët duhet të paraqiten me ekipet e tyre përfaqësuese, Malaga në të cilën aktivizohen Sadiku dhe Bare kërkon që ndeshja e tyre të shtyhet. Herën e shkuar, luanin me Kadizin dhe propozimi i tyre për të shtyrë ndeshjen u hodh poshtë. Ndërkohë, Bare do të mungojë dy javë për skuadrën e tij pasi është pezulluar edhe për shkak kartonësh dhe më pas ka ndeshjet me Shqipërinë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/