“Na gjeni provat të fundosim Takajn”, Skënderbeu publikon mesazhet e atyre që e dënuan në UEFA

Klubi i Skënderbeut duket se ka vendosur të fillojë një luftë të hapur ndaj atyre që e kanë dënuar në UEFA dhe që kanë bashkëpunuar me ndërkombëtarët për të sjellë pezullimin model të korçarëve për çështjen e trukimit të ndeshjeve.

Korçarët, nëpërmjet rrjeteve sociale, kanë publikuar disa mesazhe të personave që sipas tyre janë bashkëpunëtorë të kompanive që luftuan këtë klub, si dhe disa lajme të cilat kanë lidhje me aktivitetet e “Sportradar” dhe drejtuesve të “Federbet” të cilat janë nën hetim.

“Si ka mundësi që Skënderbeun duan ta “djegin” këto kompani dhe disa persona të cilët dyshohen dhe janë nën hetime për lidhje me mafien?
Nga Sportradar deri tek Presidenti i Federbet i cili ka sulmuar personalisht Skënderbeun…
Ka dhe nga ata që kërkojnë dhomave private prova kundrejt pagesave ilegale…
Drejtësia nuk do të vonojë”, shkruante klubi korçar në postimin që shoqërohej me një foto të disa frazave të një bashkëbisedimi.

Mesazhet e postuara
“Të thashë që do të fitonim. Por ne duam ende më shumë prova ndaj Takajt. Kur mund të takohemi?”
“Na siguro provat ë do të na ndihmojnë ne ta fundosim atë”
“Çfarë? Unë e kam mbyllur me fjalët. Ose eja dhe diskutojmë pagesën për provat tuaja ose jo”.