Muça: Tirana ka zbrazëti në aspektin sulmues, nuk meritoi më shumë në ndeshje

Shkëlqim Muça mendon se ndeshja e sotme e Partizanit ndaj Flamurtarit shfaqi një lojë pa “luftën” e duhur të të kuqve të paktën në fillimin e sfidës. Në “Rubrika Sportive”, Muça theksoi se edhe mënyra se si trajneri Lerda interpretoi minutat e fundit, ishte paksa e çuditshme.

“Partizani nuk bëri mirë, u duk që në fillim se nuk kishte nerv, dëshirën e madhe për të luajtur e për të nxjerrë golin sa më shpejt. Pastaj në pjesën e dytë ndryshoi, pastaj bëri lojë sulmuese e ishte afër portës. Pastaj Partizani bëri gjithçka për të fituar ndeshjen.

Ka ndeshje që duhet pak fat, por në 30 minutat e fundit bëri presion. Nuk kuptova atë zëvendësimin e fundit të Bardhit me Brojën, nuk e kuptova si ndërrim.

Partizani ka bërë shumë ndryshime, vjet pati stabilitet se luanin 13 lojtarë, ishin 11 dhe 1-2 ndërrime që bënte Gega, ekipi ishte i stabilizuar. Rezultate erdhën. Partizani në fillim pati probleme në modul e skemë, trajneri vazhdon e ndryshon pozicionet se duke parë që nuk ka stabilitetin, mundohet të ndryshojë. Ka vazhdimisht lëvizje, duhet trajneri që të menaxhojë grupin më të madh me lojtarë”, tha Muça.

Për duelin Tirana-Vllaznia
“Këto ndeshje është e vështirë të luhen pa tifozë. Tirana nuk e ka qartë që të ketë forcë sulmuese se nuk ka agresivitetin për të shënuar. Ka zbrazëti në aspektin sulmues, ka mangësi. Nuk është agresive në lojë dhe kjo ishte një ndeshje për të fituar, për të kapur një kuotë pikësh dhe arritur Partizanin. Ishte një ndeshje që nuk meritoi më shumë se ai rezultat”. /vipsport.al/