Mesi në gjurmët e rekordeve të Pele, argjentinasi vendos tre objektiva

Lionel Mesi ia ka dalë deri në këtë pikë të karrierës të thyejë shumë rekorde dhe të vendosë po shumë të rinj. Megjithatë, argjentinasi tashmë synon tre rekorde të rëndësishme, aq më tepër kur ato mbahen nga një legjendë e futbollit botëror si Pele.

Rekordi i parë të cilin synon pleshti është ai i lojtarit që ka shënuar më së shumti gola me përfaqësueset amerikano-latine. Për momentin Pele ia ka dalë të realizojë me fanellën e Brazilit 77 gola. Por, Mesi nuk mbetet pas teksa për këtë rekord i mjaftojnë shtatë gola. Rekordi numër dy që mbahet nga Pele dhe që Mesi kërkon ta thyejë është ai i golave të shënuar me fanellën e vetëm një klubi. O’ Rey siç njihet ndryshe Pele, është ndalur në kuotën e 643 golave me Santosin.

Ndërkohë, Mesi ka prekur shifrën e 612 golave me Barcelonën. Sakaq, rekordi i tretë të cilin ka në shënjestër Mesi është golashënuesi më i mirë përfshirë klubet dhe Kombëtaren. Pele ka shënuar 757 gola, ndërsa Mesi deri më tani ka realizuar 682 herë. Por, në këtë rekord bie në sy edhe prezenca e Kristiano Ronaldos, i cili aktualisht është para argjentinasit me 706 gola të realizuar.