Mesfushori i Teutës mes katër rrugëve: Shtëpia e pabanueshme, i vunë shiritin. Duket si një ëndërr e keqe

Orjan Xhemalaj, një nga lojtarët që ka luajtur në Superiore dhe në Kategorinë e Parë me shume skuadra të njohura ku bien në sy Teuta apo Dinamo e Erzeni, ka qenë një nga ata që kanë vuajtur nga afër pasojat e tërmetit të rëndë në 26 nëntorit.

Shtëpia e tij në Durrës ka marrë dëmtime të shumta dhe mesfushori bashkë me familjen është larguar prej saj që pas mëngjesit të tmerrit, pasi ajo tashmë është bërë e pabanueshme.

“Çfarë të them, kemi përjetuar tmerr! Por duhet thënë shyqyr që jemi mirë si familje”, tregon Xhemalaj për Vip Sport. “Shtëpia ka pësuar shumë dëmtime dhe i kanë vënë shiritin. Jemi zhvendosur në Sarandë dhe tashmë duhet që të mendojmë se ku do të fusim kokën”, shprehet mesfushori i Teutës.

Ai do të kthehet përsëri nesër në Durrës, me shpresën që të gjejë një zgjidhje për të ardhmen e familjes së itj. “Shëndeti është kryesori. Nesër do shkoj në Durrës. Shpresoj që instancat përkatëse të na gjejnë një zgjidhje sepse bëhet fjalë për shtëpinë ku fusim kokën. Nuk di ç’të them, s’jemi në terezi. Duket si një ëndërr e keqe ajo që ndodhi…”,- ishin fjalët e Xhemalajt për dramën që ka përjetuar ai dhe familja e tij në këto ditë. /E.S./vipsport.al/