Menaxheri i Shumaher akuzon: Kam frikë se gruaja e tij nuk po tregon të vërtetën

Uilli Ueber, njeriu i cili ktheu Mikael Shumaher nga një pilot të garave go-kart në legjendën më të madhe të automobilizmit botëror, ka zbuluar se që kur gjermani ka pësuar aksidentin e frikshëm në Alpet franceze, atij nuk i lejohet ta vizitojë. I intervistuar nga mediat gjermane, ai ka treguar se bashkëshortja e ish-pilotit të Formula 1 e pengonte që të takohej me të.

“E di që Mikael ka mbetur i plagosur shumë rëndë dhe asgjë më shumë… Nuk di nëse ka bërë progres me rehabilitimin apo jo. Do të më pëlqente shumë që ta takoja përsëri, t’i shtrëngoja dorën. Por guraja e tij Korin nuk ma lejon. Ka frikë se zbuloj të vërtetën për gjendjen e tij dhe ia tregoj publik”, tha Ueber, i cili ka qenë menaxheri i Shumaher gjatë gjithë karrierës në Formula 1.

Por menaxheri duket se ka bindjen e  plotë se ish-piloti do ta marrë veten një ditë. “Besoj shumë fort te shërimi i Mikael, pasi e di se është një luftëtar. Nëse ekziston një mundësi, ai do ta shfrytëzojë. Ky nuk mund të jetë fundi i tij. Lutem çdo ditë për të dhe jam i bindur se do ta rishohim”, tha Veber. /vipsport.al/