Memolla sfidon Lenjanin dhe Trashin: Kam kuriozitet të shoh veten me 3-5-2

Hysen Memolla është gati të sfidojë Lorenc Trashin dhe Ermir Lenjanin, të cilët janë futbollistët që shihen më përpara në hierarkinë për krahun e majtë në rreshtimin e trajnerit Edi Reja. Mbrojtësi, në konferencën e sotme për shtyp, ka theksuar se është gati ta bëjë një rol të tillë dhe do të kishte kuriozitet të provonte veten, edhe pse nuk e njihte mirë atë pozicion në rreshtimin 3-5-2.

Mbyllja e edicionit – “Kemi objektivat tona, kemi për të bërë maksimumin, nuk ka mbarim. Ka fokus 100% në të gjithë ndeshjet pavarësisht se kë kemi përballë. Mund të jetë Franca, Greqia apo Andorra, nuk ka rëndësi, duhet të japim 100% në të gjitha ndeshjet”.

A pret të luajë ndaj Andorrës– “Nuk e di, unë di vetëm punën time, do bëj stërvitje në maksimum dhe pastaj e ka në dorë trajneri. Nëse më ka në preferencë në krahun e majtë unë vetëm mund të jap maksimumin për çunat”.

Konkurrenca në krahun e majtë – “Konkurrenca besoj se është gjë e mirë se mund të japësh edhe më shumë në çdo stërvitje, të japësh maksimumin. Kjo është diçka që mund të zhvillojë performancën, nuk e shoh si gjë të keqe. Trajneri ka më shumë opsione në krahun e majtë. Jam unë, Lenjani, Trashi, mendoj se mund të japim një dorë shumë të rëndësishme për ekipin kombëtar”.

Një gol me kombëtaren – “Të gjithë lojtarët shpresojnë të shënojnë, nëse e bën është e mirë. Por unë fokusohem të ndihmoj ekipin, nuk është objektivi im të shënoj. Është të marrim rezultat si ekip, nëse shënon e humbim, nuk ka interes për mua. Kam qejf më shumë të fitojmë. Nëse shënoj e fitojmë është plus pastaj”.

Aktivizimi me skemën 3-5-2 – “Sot fola me disa lojtarë se me 3-5-2 nuk kam luajtur shumë, por me karakteristikat që kam mund të ndjehem mirë. Stërvitja është gjë tjetër e ndeshja është tjetër. Besoj se mund ta bëj, kam kuriozitet ta bëj e të shoh veten. Kam luajtur me Panuçin një herë aty, nuk jam ndjerë keq. Me karakteristikat që kam besoj se mund ta bëj atë rol e nuk ka problem”. /vipsport.al/