Me skuadër të plotë dhe mendjen te miqësoret, ballshiotët me mendjen te Kukësi

Në Ballsh po mundohen që të harrojnë humbjen me Skënderbeun. Trajneri Dovedan dhe skuadra tashmë kanë nisur që të mendojnë për ndeshjen zyrtare të radhës, atë me Kukësin  në transfertë. Bylisi mban vendin e dytë në renditje, por tashmë duhet që t’i ruhet rivalëve nga poshtë, pasi fitoret e Laçit dhe Skënderbeut e kanë “ngjeshur” garën në Superiore. Dy humbje në 12 javë sigurisht janë pak dhe Bylisi ka ecur duke dalë jashtë parashikimeve, ndërsa duket se skuadra këtë sezon nuk ka si synim vetëm mbijetesën.

Rikuperimi- Ballshiotët  pritet që të jenë me skuadër të plotë ndaj Kukësit. Ditmar Bicaj është duke ndjekur fizioterapinë dhe me shume gjasa do të jetë gati javën që vjen nëse çdo gjë shkon sipas planit. Po ashtu duke përfituar edhe nga ky pushim, Antoni Beji do të jetë gati ndaj Kukësit. Nigeriani ka qenë në stol në ndeshjen e zhvilluar në Shkodër dhe atë me Skënderbeun në Ballsh.

Miqësoret- Në Ballsh kanë planifikuar dy ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe. Nga sa bëhet e ditur, skuadra e Dovedan do të përballet me skuadra pretendente të së Parës ose do të shoh mundësinë për t’u testuar me ndonjë nga ekipet e shteteve fqinje. Është folur edhe për një test me Strugën që merr pjesë në futbollin elitar të Maqedonisë së Veriut.