Mavraj e quan “derbi” ndeshjen me Serbinë: Na larguan me helikopter nga stadiumi

Mërgim Mavraj po bëhet gati të kthehet në fushën e lojës. Jo me përfaqësuesen shqiptare, ku vështirë se mund të gjejë më hapësira në prapavijën e trajnerit Edi Reja, por me skuadrën e Grojter Fyrth, të cilës i ka munguar pas një dëmtimi në shpatull. Këtë javë, skuadra e tij luan një derbi ndaj Nyrembergut dhe vetë Mavraj e ka cilësuar këtë si “një nga derbit më të vegjël” që ka luajtur.

Sipas tij, më i madhi është dueli mes Shqipërisë dhe Serbisë, ajo natë e ndezur në Beograd. “Na larguan nga fusha me helikopterë” janë përshkrimet e Mvrajt për atë sfidë duke folur për “NordBajern”, edhe pse në fakt në të vërtetë helikopterët patrullonin në ajër pas duelit e asnjë prej tyre nuk shërbeu për të transportuar lojtarët a stafin e skuadrës kuqezi.

“Jam mësuar me beteja. Luajmë në shtëpi, është një avantazh i madh. Por është edhe çështje futbolli. Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë ishte më shumë një luftë”, kujton ai. Megjithatë, duke iu kthyer derbit të fundjavës, Mavraj i ka idetë e qarta. “Derbi është 90 minuta krenari, për fytyrën e qytetit dhe klubit”, tha ai për derbin e 265-të mes dy skuadrave. /vipsport.al/