Marantas i frikësohet Flamurtarit: Ne nuk kemi sulmues si Sukaj, kjo është ndeshja më e vështirë

Dueli direkt mes Flamurtarit dhe Luftëtarit mund të jetë përcaktues për fatin e skuadrave dhe shanset  e tyre të fundit për mbijetesë. Për këtë është i ndërgjegjshëm trajneri Jorgos Marantas, i cili në konferencë për shtyp nuk ka ngurruar ta cilësojë ndeshjen më të vështirë të kampionatit për Luftëtarin.

“Për mua nuk ishte e mirë ndërprerja e kampionatit se kishim gjetur një ritëm të mirë. Gjithsesi, gjatë kësaj ndërprerje zhvilluam një miqësore që na shërbeu për të parë gjendjen e ekipit. Kemi disa probleme të vogla me lojtarët si Isufi e  Vyent, por asgjë e rëndësishme.

Flamurtari ka shumë lojtarë me eksperiencë që do ta ndihmojnë. Ne nuk kemi një lojtar sulmues siç është Sukaj. Flamurtari është një emër i madh në kampionatin shqiptar dhe nuk janë rastësi barazimet që ka marrë me ekipe që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar. Për ne kjo mund të konsiderohet  ndeshja më e vështirë në kampionat, ne duhet të luajmë me të njëjtin ritëm që kishim përpara pushimit dhe kështu do të vijnë rezultatet pozitive”, tha ai.

Sulmi mbetet pika më e dobët e skuadrës gjirokastrite, që është fundosur nga mungesa e golave edhe pse ka krijuar shpesh raste. “Skuadra duhet të luajë mirë si në sulm, por edhe në mbrojtje. Fakti që ne krijojmë rastet është diçka pozitive. Ndonjëherë është çështje fati por edhe  individi, dëshira është e madhe për të sulmuar e mbrojtur njëkohësisht dhe gjithnjë u them lojtarëve se duhet të mendojmë për të dyja”, theksoi tekniku grek. /vipsport.al/