Mançinit nuk i mjaftojnë 10 fitore dhe nëntë gola në një ndeshje, zbulon favoritët e Euro 2020

Italia ka shkëlqyer në këto eliminatore të Euro 2020, teksa të kaltrit kanë realizuar një ecuri perfekte. Nën drejtimin e trajnerit Roberto Mançini, “axurrët” kanë hedhur pas krahëve zhgënjimin për mospjesëmarrjen në Botëror, dhe këtë herë fituan të dhjetë ndeshjet e grupit kualifikues. Madje i bënë një mbyllje spektakolare grupit, teksa në mbrëmjen e djeshme triumfuan me rezultatin 9-1 kundër Armenisë. 

Por, të gjitha rekordet dhe arritjet duket se nuk impresionojnë së tepërmi teknikun Mançini, i cili ende nuk e sheh ekipin si favorit për të fituar Europianin. Mançini nuk ka nguruar që në konferencë për shtyp të zbulojë edhe kundërshtarët që sipas tij janë para favorite para Italisë. Franca, Belgjika, Spanja dhe Gjermania kanë nisur të shqetësohen?

“ Nuk e di këtë. Unë them se janë më të fortë, sepse kanë nisur të punojnë para nesh. Franca ka fituar Botërorin dhe ka një ekip të ri në moshë. E njëjta vlen edhe për Spanjën. Belgjika në 5-6 vitet e fundit ka prodhuar disa lojtarë të jashtëzakonshëm. Ndërsa për të tjerat është më mirë të përballen me dikë tjetër, për të kaluarën që ka”, u shpreh Mançini.

/Egi Çabeli-VipSport.al/