Malota tregon defektet dhe rivalët: Vuajmë në sulm, ja 3-4 ekipet që i kemi “afër”

Renato Malota, mbrojtësi me eksperiencë shpëtoi Vllazninë nga goli në fund të sfidës në emisionin “Gol pas goli” në “Supersport” ka pohuar: “Me sa di, ishte një dyluftim mes portierit e sulmuesit, një top aksidental që po shkonte drejt rrjetës. U gjenda aty dhe shyqyr sepse do rezultonte fatale, sepse nuk do të kishim mundësi të barazonim”.

Mungesat

Malota foli edhe për ndeshjet e fundit, ku skuadra ka pësuar dy humbje. “Nuk e kemi luksin që të kemi 18 lojtarë njësoj. Kemi ndier mungesat. Janë aktivizuar sot 2-3 lojtarë që kanë munguar në dy javët e fundit dhe kanë bërë mirë. Por edhe taktika e trajnerit doli pozitive sepse donim që të mbanim ekipin e Tiranës para.”

Rivalët

Si një mbrojtës që e njeh Superioren, pasi ka luajtur në disa ekipe, Renato Malota ka pohuar: “Jemi 3-4 ekipe që jemi aty-aty. Laçi, Bylis, apo Skënderbeu. Skuadrat kanë luhatjet e veta, por unë besoj se jemi në të njëjtin nivel”.

Sulmi

“Siç është parë në shumë ndeshje kemi vuajtur në sulm. Po vuajmë për një “pykë”. Deri në janar do ta shtyjmë kështu sepse e kemi të pamundur që të ndërhyjmë tashmë. Por besoj se në janar me afrimin e një sulmuesi cilësor, Vllaznia do të jetë më solide”, – tha Malota në fund të sfidës.

E.S./Vipsport.al/