Liga Profesioniste zgjohet pas 4 muajsh, si zakonisht flitet vetëm për bojkot

Liga Profesioniste e futbollit shqiptar është mbledhur sot pas 4 muajsh heshtje absolute, një mbledhje “përgjysmë” nga e cila ka dalë kërcënimi i radhës për bojkot. Herën e fundit ishte mbledhur në korrik për të diskutuar ultimatumin që i kishte bërë asokohe FSHF klubeve për të plotësuar kriteret financiare . Edhe atëherë, po si sot, munguan një pjesë e rëndësishme e klubeve, por gjithsesi presidenti i Ligës, Edvin Libohova, shprehet hapur se po nuk u plotësuan kërkesat e saj ndaj shtetit, Superiorja mund të shkojë drejt bojkotit.

Ligës nuk i ka pëlqyer fakti se në komisionet parlamentare po diskutohen ndryshimet në Ligjin për Sportin por jo me propozimin e plotë të klubeve shqiptare, sa i përket mbështetjes së bizneseve dhe zbritjeve nga tatim fitimi të atyre që sponsorizojnë në sport.

“Propozimi i futbollit ka qenë që sponsorizuesit t’i njihej e drejta që të zbritej nga tatim fitimi deri në 30%, varianti që ka Kosova. Varianti që ka shkuar për diskutim ka një formulë tjetër. Jemi në dy formula të ndryshme të zbatimit”, shpjegoi ai sot pas mbledhjes ku morën pjesë përfaqësues nga Tirana, Laçi, Luftëtari, Teuta, Bylisi dhe Skënderbeu.  

“Nëse nuk miratohen ndryshimet që kemi kërkuar, klubet vendosën të ridiskutojnë mënyrën e vazhdimit apo jo të kampionatit pasi në këto kushte është e vështirë që të vazhdojë e të mbijetojë. Ka pasur edhe elementë të tjerë që janë përfshirë në paketë për të ndryshuar, ky është kryesori. Nëse nuk bëhet ky ndryshim, klubet sportive, flas të paktën për ekipet e Superiores, do ta kenë shumë të vështirë të mbijetojnë  e të zhvillojnë futbollin qoftë për veten e tyre e qoftë për moshat”, deklaroi Libohova.

Kësisoj, disa nga klubet elitare shqiptare kërcënojnë me bojkot të aktiviteteve që nga e mërkura e ardhshme, edhe pse duket pak e mundshme, pasi bëhet fjalë për një organizatë të cilën deri tani e injoron plotësisht edhe vetë FSHF, e cila ka hedhur sistematikisht poshtë çdo kërkesë që ajo i ka çuar për miratim në Komitet Ekzekutiv. /vipsport.al/