Lidhja e tifozëve të Lacios me fashizmin, autori i golit të Sëlltik rikrijon ekzekutimin e Musolinit

Futbolli nuk duhet të ketë asnjë lidhje me politikën, megjithatë sërish kjo pjesë është e pashmangshme. Aq më tepër kur tifozët e Lacios shprehin hapur bindjet e tyre fashiste. Gjatë ndeshjes së djeshme në Europa League ndaj Sëlltik, edhe pse ultrasit kryeqytetas janë ndëshkuar disa herë, sërish kanë lëshuar kore raciste ndaj futbollistit të skocezëve, Olivier Ntçham.

Megjithatë, ky i fundit shënoi në minutën e 95 dhe gjeti mënyrën më të mirë për t’u hakmarrë ndaj tifozerisë bardhekaltër. Festimi i Ntçam ishte i veçantë pasi sërish kishte të bënte me një kundërpërgjigje ndaj tifozëve të Lacios. Ai rikrijoi edhe një herë varjen me kokë poshtë të Musolinit gjatë momentit kur ai është ekzekutuar.

Kujtojmë, se edhe në ndeshjen e parë në Skoci, tifozët e Sëlltik duke njohur prirjen e lacialëve, shfaqën një baner me Musolinin të varur kokëposhtë. Kështu, ndeshja u mbyll me këtë imazh, ndërsa ishte mjaft e ngarkuar nga ana e tifozëve pasi një natë më parë dy tifozë të Sëlltik u sulmuan dhe u plagosën me thikë nga ultrasit e Lacios. /Egi Çabeli-VipSport.al/