LAJMI I FUNDIT / Totenhem shkarkon trajnerin që i çoi në finalen e Ligës së Kampioneve

Totenhemi ka shkarkuar Mauricio Poçetinon nga drejtimi i skuadrës pas një fillimi të dobët që i ka bërë këtij edicioni, pasi skuadra gjendet në mesin e tabelës së klasifikimit. Argjentinasi ishte vënë në dyshim pasi skuadra aktualisht mban vendin e 14 në kampionati, një ndryshim absolut në krahasim me edicionin e kaluar ku drejtoi skuadrën deri në finalen e Ligës së Kampioneve.

Mendohej se klubi do të priste deri në fundjavë për të marrë një vendim, por me sa duket te Totenhem kanë gjetur që tani atë që mund ta zëvendësojë ndaj kanë vepruar duke larguar argjentinasin.

“Klubi lajmëron sot se Mauricio Poçetino dhe stafi i tij janë shkarkuar nga detyra”, shkruhej në njoftimin  e Totenhem. “Nuk kishim dëshirë të merrnim këtë vendim dhe bordi e ka marrë jo në nxitim e sipër. Fatkeqësisht, rezultatet në kampionat në fund të sezonit të kaluar dhe në fillim të këtij sezoni kanë qenë jashtëzakonisht zhgënjyes”, theksoi shefi ekzekutiv, Daniel Levi, duke argumentuar vendimin pas të cilit pritet të mësohet emri i ri që do të drejtojë londinezët.  /vipsport.al/