Kumbulla bashkohet me grupin në stërvitje, por mbetet në dyshim për sfidën e fundjavës

Marash Kumbulla është në dyshim nëse do të aktivizohet në sfidën e kësaj jave të Veronës ndaj Fiorentinës. Mbrojtësi shqiptar u dëmtua në sfidën ndaj Breshias, ndërsa për këtë shkak humbi edhe grumbullimin me Kombëtaren.

Kumbulla i është bashkuar stërvitjes me skuadrën ditën e djeshme, dhe do të vlerësohet hap pas hapi nëse ia del të jetë i gatshëm për të kontribuar. 19-vjeçari, edhe pse ka sezonin e debutimit në Serinë A ia ka dalë të shkëlqejë dhe të jetë protagonist në një nga repartet e mbrojtjes më të mirë në Itali, teksa formon një partneritet të shëndetshëm me Amir Rrahmanin.

Në këtë formë, interesimi nga klube me emër në Itali nuk i ka munguar, ndërsa edhe Fiorentina që do ta ketë përballë të dielën, është një kandidate për shërbimet e Kumbullës.  /Egi Çabeli-VipSport.al/