Kryeson renditjen në Kosovë, Mezani: Renditja ka vlera në fund, konkurrenca në Superiore deri në fund

Ish-trajneri i Flamurtarit dhe Luftëtarit në Kategorinë Superiore, Gentian Mezani tashmë po kalon një periudhë të mirë në Superligën e Kosovës, teksa me Gjilanin e tij kryeson renditjen. Megjithatë, tekniku shfaqet me këmbë në tokë ndërsa në një prononcim për RTSH thekson se renditja duhet parë në fund pasi atëherë ka vlera dhe se objektivi i skuadrës fillimisht është pjesëmarrja në Kupat e Europës. Ndërkohë, nuk mungoi edhe një mendim i Mezanit për superioren, teksa vlonjate beson se konkurrencë do të ketë deri në fund të kampionatit.

Kryesimi me Gjilani? “Renditja për momentin është mirë por nuk ka vlerë tani,  vlera e saj është në fund. Moralisht skuadra ndihet mirë, objektivi jonë janë kupat e Europës dhe do të mundohemi deri në fund për këtë objektiv.

Transferimi i lojtarëve dhe trajnerëve nga Superiorja në Superligën e Kosovës? Nuk e them se është bërë modë kjo e trajnerëve apo lojtarëve që transferohen në Kosovë, gjithçka është relative dhe çdo ekip bën zgjedhjen e vet dhe shikon trajnerin apo lojtarin që i duhet.

Kategoria Superiore? Unë mendoj që është një kampionat disi i fortë  dhe skuadrat janë aty-aty. Përveç Luftëtarit dhe Flamurtarit që kanë një distancë me të tjerët, por të tjerat nga pikët duken shumë afër dhe mendoj se kjo do të vazhdojë deri në fund”, tha Mezani.