Kros ‘thumbon’ Bejl: Më duket e çuditshme që është në formë sa herë luan me Uellsin

Situata e Garet Bejl te Real Madrid mbetet një shqetësim për të gjithë ambientin e galaktikave. Sulmuesi nuk nguron ta shprehë hapur pakënaqësinë që është ende pjesë e klubit, dhe për të disatën herë është larguar nga stadiumi pa përfunduar ndeshja.

Një gjest i cili është një mungesë respekti ndaj shokëve të skuadrës, ndaj edhe një thumbin nga ana e Toni Kros nuk ka munguar. Mesfushori gjerman është shprehur se duket i çuditshëm fakti se Bejl luan me Kombëtaren, më pas nuk luan me Realin dhe sërish kthehet në një lojtar me kondicion optimal për Uellsin.

“ Duket pak jo koherente kur kthehet nga Kombëtarja dhe nuk luan me klubin. Por, më pas kthehet sërish në kondicion optimal për të luajtur me Uellsin. Momenti nuk është ndër më të mirët, por shpresoj të rikthehet pa probleme këtë herë nga Kombëtarja. Jam i bindur se do të na duhej kualiteti i tij në shumë ndeshje”, u shpreh Kros.

/Egi Çabeli-VipSport.al/