Komenti në rrjetet sociale, ndizen edhe njëherë shkëndijat mes Pogba dhe Juventus

Vera ishte e mbushur plot zëra që e shihnin Pol Pogba kilometra larg Mançesterit. Torino dhe Madridi ishin destinacionet e mundshme, aty ku Juventusi e kërkonte sërish në gjirin e tij, ndërsa nga ana tjetër trajneri i Realit, Zinedin Zidan luante me kartën e patriotit. Megjithatë, Junajtid nuk hapi rrugë dhe nuk e lironte mesfushorin, për një shifër më të ulët se 150 milionë euro, edhe pse vetë Pogba kërkonte të largohej.

Kështu, italianët u zbrapsën pasi një sezon më parë kishin investuar 100 milionë për Ronaldon, ndërsa spanjollët kishin investuar mbi 250 milionë në ato momente të merkatos. Mirëpo, Pogba vazhdon të mos jetë i lumtur në Angli. Francezi prej disa ndeshjesh nuk luan pasi është i dëmtuar, por edhe kur ishte në fushë kontestohej nga tifozët për shkak të dëshirës për t’u larguar.

Megjithatë, së fundmi Pogba ka ndezur sërish shkëndijën mes tij dhe Juventusit. Mjaftoi një koment në rrjetet sociale ku uroi përzemërsisht Bonuçin për fitoren e bardhezinjve në Ligën e Kampionëve. Kështu, skenari është rihapur dhe këtë herë Juventusi mund të ketë fuqinë e duhur financiare për të shpenzuar dhe për t’u bashkuar me 26-vjeçarin.  /Egi Çabeli-VipSport.al/