Kielini tregon kur kthehet nga dëmtimi: Objektiv Champions-i dhe Europiani

Xhorxho Kielini po punon për t’u rikthyer sërish i gatshëm për Juventusin dhe Italinë pas këputjes së ligamentit. Një dëmtim i rëndë, por mbrojtësi nuk ka ndërmend të ndalet. Kielini parashikon se do të luajë sërish mes muajit shkurt dhe mars, ndërsa si objektiv ka Ligën e Kampionëve dhe pjesëmarrjen në Europian me Italinë.

“ Shpresoj të jem gati mes muajit shkurt dhe mars. Terapitë po shkojnë mirë, por duhet kohë dhe shumë durim. Juventusi po bën mirë edhe pa mua. Shpresoj t’i ndihmoj në pranverë. Futbolli i Sarrit kërkon kohën e vet, por tani është e rëndësishme që skuadra të marrë sa më shumë pikë.

Euro 2020? 9-1 është surprizuese. Mançini ka shumë merita, është arkitekti i kësaj Italie të rilindur. Komplimente shokëve dhe trajnerit. Kanë kompletuar një fazë kualifikuese të madhe. Do të shihemi në qershor”, u shpreh Kielini.